Përdhunimi nuk mund të quhet seks dhe “zemrat e thyera” nuk shkaktojnë vrasje

81

Në korrik të vitit 2013 një grua e quajtur Tracy Connelly u gjet e vdekur në Melburne. Kjo ngjarje pushtoi të gjitha gazetat dhe në shumicën e tyre shkruhej vritet Prostituta e St Kilda-s. Një vit më parë u gjet e vdekur edhe një grua tjetër e quajtur Jill Meagher. Një grua e re, e bukur, e dashur nga të gjithë.

Në disa video të publikuara nga kanali Amerikan ABC shfaqej bashkëshorti i saj me zemër të thyer e dëgjoheshin ulërimat e tmerrshme të kolegëve të saj. Po prostituta e St Kilda-s? Ajo u vra në moshën 40 vjeçare. Ishte një njeri që vlerësohej nga komuniteti dhe i dashuri i saj e dashuronte fort. Përse u përdor termi prostitutë në faqet e para të gazetave?

Një artikull për një vajzë tjetër të vrarë të quajtur Michaela Dunn u kujdes që të përdorte fjalën punonjëse seksi në vend të fjalës prostitutë. Mënyra sesi mediat e paraqitën historinë e Tracy-t duke i’u referuar asaj si një prostitutë tregon se në një farë mënyre Tracy e meriton atë që i ndodhi. Pra Tracy e kishte kërkuar vetë këtë që i ndodhi për shkak të punës që bënte.

Përse mediat nuk vendosën titull kryesor Tracy Connelly vritet brutalisht në shtëpinë e saj por u përdor titulli prostituta e St Kilda-s vritet brutalisht? Përse mediat nuk vendosën në faqen e parë të gazetës një foto të Tracy-t ku ajo shfaqet e bukur, fotozhenike dhe duke qeshur si fotoja e Jill Meagher-it?

Asnjë njeri nuk meriton të vritet apo të sulmohet. Të fajësosh viktimën është e papranueshme çfarëdo profesioni të ketë, mënyrë të veshuri, apo rrethanash. Të jesh një punonjëse seksi është e rrezikshme sepse ato punojnë me burra. Nuk janë këto punonjëse të rrezikshme por burrat të cilët përfitojnë nga rrethanat dhe kryejnë akte dhune.

Të mos harrojmë mediat. Ato mund të fajësohen lehtësisht sepse mënyra si e përpunojnë informacionin, termat që përdorin, rëndësia që i japin një historie, detajet që përdoren na mësojnë se çfarë ndodh. Pra, Jill Meagher punonte në stafin e televizionit Amerikan ABC dhe vdekja e saj u raportua shumë herë më tragjike se vdekja e Tracy-t. Ajo u pa si një person e jo si një grua dhe ngjarja e saj nuk mori rëndësinë e duhur.

Gratë sot vazhdojnë të shikohen si gra të mira dhe gra të këqija. Gra të mira konsiderohen gratë e martuara dhe nënat të cilat janë të ëmbla dhe vishen në mënyrë serioze kurse gra të këqija konsiderohen modelet, punonjëset e seksit, apo gratë nën varësinë e drogës. E pikërisht kjo ndarje influencon edhe mënyrën sesi mediat shkruajnë për to në gazeta.

Realiteti është se asnjë grua nuk meriton të dhunohet dhe se gazetaria ka nevojë për fytyra dhe zëra të rinj.  Gazetaria duhet të ndryshojë perceptimin që ka për botën dhe të kuptojë se gratë, njerëzit me ngjyrë, njerëzit me aftësi të kufizuara apo njerëzit me gjini të ndryshme duhet të trajtohen siç duhet. Lajmet nuk duhet të injorojnë ekzistencën e tyre apo t’i cilësojnë ata si stereotipe arkaike.

The Guardian/Përshtati në shqip Emi Bibolli