Nuk është më tabu të flasësh për dhimbjet menstruale

30

Imagjino të vuash nga dhimbje menstruale infernale (ferri), 1 javë në muaj, në 12 muaj të vitit, për vite me radhë e ndoshta fill pas menarkës (ciklit të parë menstrual të një vajze). Duket sikur vajzat dhe gratë, e mbi të gjitha ato shqiptare, duhet të pranojnë çdo dhimbje që u vjen pa kërkuar ndihmë. E kush kërkon ndihmë për dhimbjet menstruale? Fundja është normale të vuash nga dhimbjet e tilla çdo muaj, kush më shumë e kush më pak, të gjithë vuajmë apo jo? Por sa duhet të durojmë, deri në ç’masë ja vlen të vuash?

1 në 10 gra vuan nga këto dhimbje që e kanë një emër, që jo të gjithë e njohin, endometrioza. Është e tmerrshme të mendosh që 1 në 10 vajza ose gra vuajnë në heshtje duke menduar që këto janë thjesht dhimbje menstruale e duhen duruar me çdo kusht se ti je dënuar që në lindje, pasi ke lindur femër. Një dhimbje e tillë torturuese nuk është normale. Të flasësh për dhimbje të tilla nuk është më tabu.

Ashtu siç nuk është më tabu të flasësh për dhimbjet gjatë apo as marrëdhënieve seksuale, apo thjeshtë për mungesën e dëshirës dhe kënaqësisë seksuale. Shkaqet që çojnë në dhimbje gjatë raportit intim apo mungesa e dëshirës seksuale mund të jenë të ndryshme: hormonale, fizike apo psikologjike dhe pjesa më e madhe e tyre mund të trajtohet dhe kurohet. Mund të bëhet fjalë për infeksion vaginal, muskuj pelvikë, hipertonikë apo ipotonike, depresion, mungesë vetëbesimi, probleme në çift, diabeti, pilulat kontraceptive apo spirale e shumë e shumë të tjera.

Sa nga ju kanë dëgjuar për vaginizimin apo vestibulitin?

Sa nga ne kanë folur me një të rritur e sa nga ne kanë shkuar tek mjeku gjinekolog për dhimbje apo fluks të madh menstrual?

Sa prej jush e keni dërguar vajën për një kontroll gjinekologjik kur është ankuar për dhimbje të forta menstruale?

Atëherë le të ndërgjegjësohemi më shumë, le ta dëgjojmë më shumë trupin dhe sinjalet që na jep. Le të mos injorojmë këto shqetësimë të cilat kanë shumë ndikim në jetën tonë të përditshme, shumë më tepër se ç’mund ta imagjinojmë. Nuk mund të qëndrojmë vetëm me dhimbjen. Asgjë që ka lidhje me trupin dhe mirëqënien tonë fizike dhe mendore nuk është tabu. Ka kaluar koha kur si përgjigje merrje një ”shshsh se është turp”. Më beso, ajo kohë ka kaluar.

Martenisa Doda, Infermiere/Mami