Nisma e re: Dhunuesi të dëbohet nga familja dhe t’i nënshtrohet rehabilitimit të detyrueshëm

62

Një në tri gra përjeton një formë të dhunës në familje, ndërkohë që vetëm 1 në 10 prej tyre e denoncojnë atë. Një nismë deputetësh synon të forcojë dispozitat ligjore kundër dhunës ndaj grave. Kodi i procedurës penale do të ndryshohet duke rritur masën e arrestit me burg për dhunën në formën e rrahjes, plagosjes dhe kanosjes së partnerit.

Një procedurë tjetër për dhunën në familje synon që të themelojë programe për rehabilitimin e dhunuesve, dhe të referojë çdo denoncim dhune në familje në prokurori, që çdo rast, në varësi të seriozitetit, të çojë në arrestim dhe jo thjesht në urdhra mbrojtje.

Në studion e Euronews Albania, deputetja e PS, Eglantina Gjermeni, kryetare e nënkomisionit për barazinë gjinore sqaroi se nisma e propozuar prej saj dhe deputetes së PS, Klotilda Ferhati parashikon ashpërsime në kodin penal ndaj dhunuesve, që përfshin jo vetëm urdhrin e mbrojtjes, por edhe largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga streha familjare dhe rehabilitimin e detyrueshëm të tij përmes një programi psiko-social, me urdhër gjykate.

“Nisur nga përvoja botërore, po edhe përvojat e sjella nga vetë gratë, e dhunuara duhet të përforcohen masat në kodin penal ndaj dhunuesve dhe nga ana tjetër të dëbohet dhunuesi nga streha. Me një urdhër gjykate të largohet duke mos e lejuar pranë banesës ku mund të jetë gruaja e dhunuar apo fëmijët. Gjithashtu, të mund t’iu nënshtrohen një programi psiko-social vetë dhunuesi. Shpesh, edhe pse ka pasur urdhër mbrojtje, fakti që jeton në të njëjtën strehë ka çuar deri në vrasje. Duke larguar dhunuesin, i largojmë mundësinë të kryejë këtë krim. Nga ana tjetër, këta persona që ushtrojnë dhunë kanë nevojë për kujdes psiko-social për t’u rehabilituar. Gjykata duhet të vendosë që ky person t’i nënshtrohet rehabilitimit”, – tha znj. Gjermeni.

Deputetja e PS pranoi faktin nuk janë ndryshimet ligjore ato që minimizojnë dhunën ndaj grave, por të ndërthurura këto me ndërgjegjësimin se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut dhe përforcimin e koordinimit mes aktorëve të lidhur me këtë çështje mund të çojë në rezultate të prekshme.

Euronews