“Ndaloni urgjentisht dhunën verbale ndaj grave kandidate”, shoqëria civile thirrje partive

16

Gjuha seksiste dhe diskriminuese e përdorur nga Kryeministri Edi Rama ndaj kandidatëve të Partisë Demokratike e në veçanti ndaj Grida Dumës, ka sjellë edhe reagimin e shoqërisë civile. Në një thirrje publike drejtuar AMA-s, KQZ-së, Komisionerit për Mbrotjtjen nga Diskriminimi dhe 3 partive më të mëdha politike në vend, janë bashkuar 24 organizata që mbrojnë te drejtat e njeriut dhe veçanërisht të grave dhe Rrjeti i monitorimit kundër dhunës me bazë gjinore. Mëposhtë reagimi i plotë:

THIRRJE PUBLIKE

Të ndalohet urgjentisht dhuna verbale ndaj grave kandidate në zgjedhje!

Autoriteti i Mediave Audiovizive – Digjitalizimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi

Partia Socialiste e Shqipërisë

Partia Demokratike e Shqipërisë

Lëvizja Socialiste për Integrim

Organizatat e shoqërisë civile vërejnë se, ende pa nisur mirë fushata zgjedhore ka filluar të ushtrohet një gjuhë seksiste dhe urrejtjeje ndaj kandidateve gra në zgjedhje. Për fat të keq, këtë gjuhë e konstatuam të përdorur nga përfaqësues të subjekteve elektorale, si dhe nga persona të ftuar në media audiovizuale e të shkruar.

Organizatat konsiderojnë se gjuha seksiste që synon të nëpërkëmbë dinjitetin e grave kandidate, është dhunë e ushtruar ndaj tyre dhe përbën diskriminim për shkak të gjinisë. Të gjitha organizatat ndërkombëtare e kanë ngritur këtë shqetësim vazhdimisht, duke e konsideruar si shkelje të konventave ndërkombëtare, për të cilat shtetet palë mbajnë përgjegjësi.

Dhuna ndaj grave në zgjedhje, në çfarëdo lloj forme që paraqitet, ka për qëllim të frikësojë dhe të ndalojë nga shprehja e zërit dhe e vullnetit të tyre politik, jo vetëm gratë kandidate, por të gjitha gratë dhe vajzat në vend. Prandaj bëjmë thirrje që përfaqësuesit e subjekteve elektorale të heqin dorë nga praktikat e shëmtuara që kanë ndjekur deri më sot, të cilat janë bazuar në gjuhën e urrejtjes dhe të denigrimit për kundërshtarët politikë, përfshirë gjuhën fyese seksiste.

Institucionet e medias, audiovizive dhe të shkruara, duhet të marrin të gjitha masat që të mos bëhen përçuese dhe mbështetëse të kësaj gjuhe dhe të mos lejojnë një gjuhë denigruese ndaj kandidateve gra. Tematikat e trajtuara nga produksione të ndryshme televizive, gjatë emisioneve, të cilat ndiqen nga një masë e gjerë e publikut, duhet të evidentojnë vlerat reale për përfaqësimin popullor të kandidateve gra, dhe jo të fokusohen në tiparet e pamjes së tyre të jashtme.

I bëjmë thirrje Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të monitorojë dhe të ndjekë kryesisht këto raste, duke marrë masa ndaj të gjithë personave, veçanërisht ndaj përfaqësuesve të subjekteve elektorale që shkelin nenin 9 të ligjit “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, i cili ndalon diskriminimin në ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, për shkaqe gjinore. Gjithashtu, kjo qasje e vërejtur, bie ndesh me Rekomandimet e disa ditëve më parë, të nënshkruara ndërmjet Komisionerit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi “Për parandalimin e gjuhës së urrejtjes gjatë fushatës zgjedhore”.

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), e në mënyrë të veçantë “Këshilli i Ankesave” të zbatojë kompetencat në lidhje me mbikëqyrjen e zbatimit të akteve që garantojnë respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të tjera themelore të grave, në përputhje me ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Organizatat e shoqërisë civile u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve zgjedhore që të marrin të gjitha masat, për të reflektuar kulturë dhe për të zhvilluar një fushatë zgjedhore paqësore, ku të respektohen jo vetëm vlerat e shtetit të së drejtës dhe të demokracisë, por edhe shqetësimet e qytetarëve dhe familjeve të tyre, për shkak të situatës së rëndë shëndetësore në kohën që jetojmë. Shoqëria Civile do të vijojë të  denoncojë publikisht të gjitha rastet që sjellin shqetësim në opinionin publik për shkak të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës gjinore.

Rrjeti i monitorimit kundër dhunës me bazë gjinore

& Organizata të tjera që i bashkohen kësaj thirrjeje:

  1. Qendra për Nisma Ligjore Qytetare;
  2. Komiteti Shqiptar i Helsinkit;
  3. Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri AWEN;
  4. Shoqata e Grave Profesioniste dhe Afariste;
  5. Qendra “Gratë në Shërbim Publik”
  6. Shoqata “Në Dobi të Gruas Shqiptare”
  7. Observatori për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Rinjve
  8. Linja e Keshillimit per Gra dhe Vajza;
  9. Forumi Gruas Elbasan;
  10. Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare;
  11. Center for Bridging Communities;
  12. Qendra Kombetare për Shërbime Komunitare
  13. Qendra për zhvillim komunitar sot për të ardhmen;
  14. Organizata “Të ndryshëm dhe të barabartë”
  15. Rrjeti për Demokraci i Gruas Shqipëri;
  16. Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (FSHDPA);
  17. Qendra Psiko-Sociale “Vatra”
  18. Albanian Women in AudioVisual AWA
  19. Rrjeti i Grave ‘Barazi në vendimmarrje’
  20. Shoqata ‘Together for Life’
  21. Qendra ‘Aleanca Gjinore për Zhvillim’
  22. Streheza per Gra dhe Vajza
  23. Qendra Shqiptare per Kerkime Ekonomike
  24. ESD & Aikido Albania