Mos u frikësoni nga koronavirus, ne e kemi një pandemi-vrasjen e grave!

1834

Nga Isa Myzyraj

Dy ngjarje tronditëse kanë ndodhur në Shqipëri në 24 orët e fundit. Një grua së bashku me vëllanë e saj janë vrarë në Mirditë, nga ish-bashkëshorti i saj, dhe një grua është vrarë në mes të Durrësit, në mes të ditës, në mes të njerëzve.

Patriarkalizmi na është ulur këmbëkryq, madje është kthyer në një pandemi, që nuk po i gjendet shërim. Nuk do të merrem me asnjë nga rastet specifike, pasi fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur trishtimin e vrasjeve të grave nga burrat ose ish-burrat e tyre.

Le të japim pak fakte, për ta konfirmuar se jemi në një pandemi partriarkalizmi dhe dhuna ndaj grave në shoqërinë tonë është një problem emergjent. Vetëm me shifa dhe me fakte, do e nxjerrim të keqen në pah dhe hajde të gjejmë zgjidhje!

Vetëm gjatë viteve 2018-2019, në Shqipëri janë vrarë në familje 23 gra. 11 prej tyre janë vrarë në 2018 dhe 12 në 2019, kryesisht nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët, ose partnerët e ish-partnerët.

Situata më dramatike paraqitet nëse marrim shifrat e 5 llojeve të dhunës nga raportet e publikuara nga sektori i grave dhe vajzave në zyrën e Kombeve të Bashkuara, INSTAT dhe disa organizata ndërkombëtare të tjera, dhe që kampioni i marrë në studim është i madh, dhe është konsideruar si studim kombëtar i besueshëm.

Kështu, 33.7% e grave dhe vajzave në Shqipëri, kanë përjetuar dhunë në familje nga partneri intim gjatë kohës që është bërë studimi (2019) dhe 47% e tyre kanë përjetuar të njëjtën dhunë ndonjëherë.

61% e grave dhe vajzave, kanë përjetuar dhunë gjatë marrëdhënieve dashurore intime gjatë kohës që është bërë studimi, dhe 65 % prej tyre kanë përjetuar dhunë më parë. (Shuma e % nuk del 100%, pasi të anketuarat, mund të kenë përjetuar më shumë se një lloj dhune).

2.4% e grave dhe vajzave kanë përjetuar dhunë nga jopartneri që në moshën 15-vjeç, gjatë kohës që është bërë studimi, dhe 18.2% e tyre kanë përjetuar të njëjtën dhunë në jetën e tyre.

8.5% e grave dhe vajzave, kanë përjetuar ngacmim seksual, gjatë kohës që është bërë studimi, dhe 18.1% e tyre gjatë jetës së tyre.

6.9% e grave dhe vajzave kanë përjetuar përndjekje, gjatë kohës që është bërë studimi, dhe 12.6 % e tyre kanë përjetuar përndjekje gjatë jetës së tyre.

52.9% e grave dhe vajzave, kanë përjetuar njërën nga 5 llojet e dhunës së sipërpërmendura.

E dini çfarë do të thotë kjo shifër?

1 në 2 gra në Shqipëri është e dhunuar! Kjo është padyshim një shifër alarmante.

Nëse vazhdojmë më tej, 58.8 % e grave dhe vajzave, kanë përjetuar dhunë fizike ose kanë pasur lëndime nga dhuna në familje.

Këto shifra mjaftojnë për të ulëritur, dhe për të brohoritur në mbrojtje të të drejtave të grave dhe vajzave, kundër dhunës ndaj tyre dhe marrjen e menjëhershme të masave, që këto përqindje skandaloze të vijnë e të ulen.

Dritare.net