Memoriali, 440 palë këpucë në mur për çdo grua të vrarë nga burrat

16

Disa njerëz mendojnë se dobësia mbart brenda saj bukurinë dhe forcën por harrojnë se pabarazia ndërmjet njerëzve shkakton vetëm dhimbje. Si përshembull dhuna në familje, një problem ky që nuk diskutohet mjaftueshëm nëpër botë.

Një artist në Turqi, Vahit Tuna arriti të ndërgjegjësonte bashkëatdhetarët e tij në një mënyrë që kurrësesi nuk mund të injorohet. Ai vendosi të përkujtonte gratë të cilat kanë qënë viktima të dhunës brutale nga burrat e tyre duke mbetur kështu, të paktën memoria e këtyre jetëve të çuara dëm. Memoriali përbëhet nga 440 këpucë grash të vendosura në një mur në Stamboll të Turqisë.

Ne shpeshherë dëgjojmë në çdo cep të botës një numër shumë të madh historish për dhunën që ushtrohet ndaj grave në familje. Kjo dhunë është edhe arsyeja më e zakonshme pse kemi të bëjmë me vdekjet e dhunshme të grave. 40 % e grave që kanë përjetuar dhunën në familje kanë pasur një fund tragjik.

Artisti u shpreh se frymëzimi për të ndërmarrë këtë akt i erdhi kur pa qindra e mijëra mesazhe në rrjetet sociale për dhunën ndaj grave. Ai zgjodhi takat e larta si një simbol të forcës femërore dhe pavarësisë që të gjitha gratë duhet të zotërojnë. Pavarësisht se këto këpucë nuk i përkasin asnjërës prej viktimave, ato janë një simbol kulturor.

Artisti shpjegoi dhe arsyen pse zgjodhi këpucët me takë të lartë dhe jo këpucët e sheshta apo ndonjë lloj tjetër. Sipas tij , kjo nuk duhet parë si një mesazh direkt sepse kjo zgjedhje u bë për arsye estetike.

Nga ana tjetër ai shfaqet edhe kontradiktor me veten sepse sipas tij këto këpucë mund të konsiderohen edhe si një simbol i atyre grave të cilat punojnë dhe janë të afta të kujdesen për veten e tyre pa pasur nevojën e një burri në jetën e tyre.

Në disa vende të Turqisë vazhdon ende tradita e familjeve turke të cilat vendosin jashtë pragut të derës këpucët e personave që hyjnë në shtëpitë e tyre. Kjo traditë është një simbol vajtimi.

Artisti beson se dija është fuqi dhe është e rëndësishme të njohim problemin dhe sesi t’a zgjidhim atë individualisht. Duhet shumë kohë për të ndryshuar sistemin por projektet e Tunës kanë ndikuar tepër në problemet  ekonomike dhe shoqërore që po përjeton atdheu i tij momentalisht. Këto 440 këpucë do të qëndrojnë në këtë mur për 6 muaj.

Përshtati në shqip Emi Bibolli