“Me liri kundër turpit”, nis maratona e festivalit FemArt në Prishtinë

11

Festivali “FemArt” ka nisur rrugëtimin e tij shtatëditor për herën e shtatë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Festivali, i cili nisi mbrëmjen e së hënës në Prishtinë e organizohet nga Qendra për Art dhe Komunitet – “Artpolis”, sivjet shënon edicionin e shtatë. Ashtu siç ishte njoftuar, festivali çeli siparin me ekspozitën “Bëhu fytyra ime”, nga artistja Eliza Hoxha, pjesëmarrëse në Bienalja e Venecias 2018, për të vijuar më pas me performancën “Pas asaj…” me artistet Agnes Nokshiqi dhe Mjellma Goranci. Një koncert i artistes afrikane Lucibela i titulluar “Në nder të Cesaria Evora” në teatrin Oda shënoi dhe fundin e natës së parë të aktiviteteve.

“FemArt” – Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste do të zgjasë deri në 16 qershor 2019. Motoja e festivalit këtë vit është “Me liri kundër marres”, për ti inkurajuar gratë të marrin pronësinë mbi jetët e tyre dhe në vendimmarrje, duke promovuar një jetë pa paragjykime e gjykime. Festivali do ketë krijime artistike origjinale nga gra dhe vajza të rajonit dhe do paraqesë shfaqje teatrale, koncerte, promovime librash, art performues, instalacione arti, poezi, punëtori, panele diskutimi, art urban dhe forma tjera të artit.

Përveç rreth 200 artisteve dhe aktivisteve nga Kosova, Rajoni, Evropa, Amerika, Azia dhe Afrika, festivali do t’i angazhojë 30 vullnetarë/e, të rinj/reja nga të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë që ta ngrit pjesëmarrjen e rinisë në çështjen e forcimit të rolit të gruas në Kosovë dhe rajon dhe ndarjen e përvojave. Edicioni i 7-të i festivalit FemArt do të përmbajë disa panele diskutimi me temat nga më të ndryshmet, si: “Gratë artiste në vendimmarrje”; “Promovueset e reja të paqes nga rajoni ” e po ashtu edhe në kuadër të promovimit të librit të autores Vjollca Krasniqi, do të hapet paneli “Dialogu ndërgjenerata i aktivizmit feminist në ish-Jugosllavi”.

Ndërkaq konferenca me titull “Epathyer / Vendi i gabuar, koha e gabuar – 20 vjet pas” i përfshin dy panele që trajtojnë temën e të mbijetuarave të dhunës seksuale – 20 vjet pas, si dhe rolin e shtetit në njohjen dhe trajtimin e tyre. Konferenca e dytë “Epathyer/Shfuqizimi i marrës”, do të trajtojë dhe prezantojë promovimin e shëndetit seksual dhe riprodhues të grave.