Koronavirus ka izoluar dhe gratë bashkë me torturuesit e tyre

162

Koronavirus dhe dhuna brenda shtëpisë janë dy fenomene të lidhur ngushtë, sepse ftesa për t’u izoluar në shtëpi për disa mund të shndërrohet në një makth. Në këto kohë të pandemisë së Covid-19, ftesa për të qëndruar në shtëpi po shoqërohet me fushata të mëdha mediatike me hashtagun #qendroneshtepi. Por për fat të keq, kjo kërkesë, në dukje krejt e pafajshme e madje ekzistenciale për tu përballur me këtë emergjencë, mund të transformohet në një tmerr të vërtetë për disa njerëz.

Nëse për disa, të kalosh 24 orë në 24 në bashkëjetesë të detyruar me burrin, prindërit, fëmijët, vjerrën e vjerrin kombinuar dhe me punën nga shtëpia, mund të rezultojë stresuese, mendoni pak për ato gra që do të donin të arratiseshin nga shtëpia për ti shpëtuar dhunës apo abuzimit. Gra apo vajza që madje edhe e kanë menduar e planifikuar të ikin por tani janë të detyruara të qëndrojnë brenda atyre mureve bashkë me “torturuesit” e tyre pikërisht për shkak të izolimit që kërkohet si pasojë e Covid-19.

“Për gratë që jaë viktimë e dhunës, të qëndruarit në shtëpi do të thotë të ndajnë 24 orë në 24 ambjentet e shtëpisë me keqtrajtuesit e tyre, do të thotë izolim nga gjithçka e të gjithë”-shpjegon Marco Chiesara, president i WeWorld, organizatës italiane që prej 50 vitesh lufton për të drejtat e grave dhe fëmijëve në 29 vende të botës.

Ndërkohë situata duket edhe më e vështirë për këto gra që kanë nevojë për ndihmë, sepse duke zbatuar rregullat e reja në fuqi për frenimin e përhapjes së Covid-19, shumë qendra kundër dhunës kanë mbyllur dyert dhe hapen vetëm në raste emergjence. Çka do të thotë se janë shumë më të rralla mundësitë për “tja mbathur” nga dhuna.

Ndaj dhe organizata WeWorld ka nisur në 8 mars fushatën #maipiùinvisibili (jo më të padukshme) sepse punonjësit besojnë se si kurrë më parë në këto ditë, është e rëndësishme që të ndihet zëri i atyre që kanë nevojë për ndihmë përmes mesazheve televizive, rrjeteve sociale apo përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me një psikologe që tu thotë se “nuk janë vetëm” e se mund të kërkojnë ndihmë pavarësisht karantinës.

robadadonne.it