Klodian Tomorri: Përdhunimi në familje është më keq se vrasja, ndryshoni Kodin Penal!

90

Ngjarja e bërë publike pak ditë më parë nga emisioni i “Fiks Fare” ku një baba abuzonte seksualisht me vajzën e tij, ka shkaktuar shumë reagime nga personazhe të njohur të artit dhe gazetarisë. Një prej tyre ishte edhe gazetari i Top Channel Klodian Tomorri, i cili në një postim në Facebook bën thirrje për ashpërsimin e Kodit Penal për dhunën seksuale brenda familjes.

“Përdhunimet brenda familjes duhen klasifikuar si vepër që dënohet me burgim të përjetshëm. Neni në Kodin Penal duhet formuluar i tillë, që të mos lejojë asnjë hapësirë për interpretim nga prokurorët dhe gjykatësit. Madje përdhunuesit nnë familje duhen trajtuar si elementë me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe të bëhen automatikisht subjekt i 41-të i bis-it. Regjim izolimi total pa asnjë kontakt me botën e jashtme. Në të njëjtën mënyrë duhen trajtuar edhe pedofilët që përdhunojnë të mitur”.

Gazetari me të drejtë kujton se situata është e tmerrshme kur përballemi me abuzimet apo përdhunimet në familje pasi ato janë 100 herë më të rënda se ato që ndodhin në rrugë sepse mund të zgjasin me vite të tëra. “Viktimat intimidohen dhe nuk kanë mundësi të kërkojnë mbrojtje. Vite të tëra dhune seksuale dhe terrori psikologjik. Kjo është më keq se vrasja”.

Për Tomorrin, rasti i fundit i denoncuar nga kolegët e “Fiks Fare” ku babai përdhunonte prej 3 vitesh të bijën, është ulëritës. “Por më ulëritës është fakti që policia nuk pranon denoncimin, kur një viktimë përdhunimi e terrorizuar sistematikisht arrin të gjejë guximin dhe të kërkojë mbrojtje”. “Si mundet që në çdo rast përsëritet e njëjta histori? Viktimat e dhunës bëjnë denoncim dhe në vend që të merren në mbrojtje, policia njofton dhunuesit të marrë masa dhe të tërhiqet denoncimi”.

Në fund të postimit të tij, gazetari bën thirrje edhe për ndëshkimin e të gjithë punonjësve të policisë që nuk veprojnë siç parashikon ligji për të mbrojtur viktimat e dhunës apo abuzimeve seksuale.

“Burg për të gjithë policët e përfshirë. Duhet ta marrin vesh një herë e mirë këta monstrat që me këto gjëra nuk luhet. Të gjithë. Ndryshe kjo ka për tu përsëritur e ripërsëritur. Por jo vetëm kaq. Ulëritës deri në makabritet edhe sjellja e nënës që kërkonte ta mbllnin pa zhurmë brenda familjes. Burg edhe kësaj për moskallëzim krimi”.

“Ndryshoje kodin o Ramazan. Po ti e ke mendjen për të bërë ligje për portalet, jo për këto gjëra”.