“Këta idiotë vendosin për gratë”, Rihana shpërthen ndaj senatorëve në Alabama

49

Këngëtarja e famshme Rihana i ka quajtur idiotë senatorët e shtetit Alabama që votuan këtë javë një ligj që ndalon thuajse totalisht abortin. Ndërkohë dhjetra personazhe të tjerë të artit po ndajnë historitë e tyre të aborteve në mbështetje të të drejtës së grave për të vendosur vetë lidhur me këtë procedurë. Rihana, e cila ka lindur në Barbados, bëri një postim në rrjetin social Twitter shoqëruar me fotografinë e 25 senatorëve që miratuan të martën ligjin kundër abortit. “Shikojini pak. Këta janë idiotët që marrin vendime për gratë në Amerikë. Turp tju vijë”.
Por Rihana është vetëm një prej artisteve që ka reaguar me zemërim pas këtij ligji ndërsa shumë prej tyre kanë ndarë me publikun historitë personale të aborteve. Mes tyre edhe aktorja amerikane Minka Kelly e cila u shpreh se aborti i saj ishte “vendimi më I zgjuar” që ka marrë ndonjëherë. Ndërkaq në rrjetet sociale, qytetarë të thjeshtë amerikanë i janë përgjigjur thirrjes së prezantueses televizive Busy Philipps që të ndajnë historitë e tyre personale dhe ti japin fund turpit.
“Një në 4 gra kanë kryer abort, megjithëse shumë njerëz mendojnë se nuk njohin dikë që ka abortuar”-shkruajti 39 vjeçarja në postimin e saj në Tëitter. Një ditë pas thirrjes së saj, rreth 50 mijë vetë e kishin pëlqyer apo shpërndarë postimin ndërsa 2 mijë të tjerë u përgjigjën duke treguar eksperiencat e tyre personale.
Vetëm këtë vit 16 shtete amerikane kanë ndryshuar ligjet kundër abortit në një përpjekje të konservatorëve për të rrëzuar vendimin e Gjykatës Supreme të vitit 1973 që vendosi mbi të drejtën e grave për ti dhënë fund shtatzanisë.
Edhe aktorja e njohur Milla Jovovich ka treguar detaje të abortit të saj traumatik pasi kishte hyrë në lindje të parakohshme. “Ka qënë një prej eksperiencave më të tmerrshme që kam përjetuar. Isha e vetme dhe pa ndihmë. Më përzihet stomaku kur mendoj se ka gra që duhet të kryejnë abort në kushte edhe më të tmershme”-shkroi Jovovich në faqen e saj në Instagram.