“Ka*e femër”, Zhaklin Lekatari tregon sharjet e kërcënimet në rrjet: Nesër mund të jetë fëmija juaj!

19

 

“K*** femër”, “më mirë e vdekur se pa besim”, “sa burra ke pasur deri tani”, “ti je k****”. Këto janë vetëm disa prej mesazheve të cilat i vijnë gazetares Zhaklin Lekatari në inbox-in e saj. Janë të shumta, ofenduese, madje edhe përbaltëse. Kjo vetëm për faktin se Zhaklina ka një blog të quajtur “Tabu blog” në të cilin flet për tematika seksuale. Në të shumtën e kohës djem me profile false i sulen gazetares në rrjete sociale, duke kaluar madje edhe në kërcënime. E gjetur mes dy zgjedhjesh, për ti bërë bllok apo për ti bërë publike sms-të që i vijnë, Lekatari ka zgjedhur këtë të dytën. E ftuar në emisionin Shqipëria Live me Erjona Rusin dhe Flori Gjinin, ajo ka treguar se në fillim këto mesazhe i kanë shkaktuar edhe shqetësime dhe se ky është një fenomen ku ne të gjithë duhet të ndërhyjmë.

“Para dy-tre vitesh kam pasur një periudhë e cila më dha disa problematika, nuk mund të them mendore, por që më shqetësonte, më bënte të ndihesha keq, si ajo lulja që nëse i flet keq do vyshket dhe nëse i flet mirë do lulëzojë.

Kjo gjë vinte nga mesazhet e rënda sepse ishin të njëpasnjëshme. Unë kam dy zgjidhje. Mund ta bëj bllok një profil të tillë, ose mund të zgjedh që me këtë koment të ndërtoj diçka dhe ta nxjerr në pah, të tregoj se ky është një fenomen që po ndodh dhe ne të gjithë duhet të ndërhyjmë, sepse nesër pasnesër mund të jetë djali juaj, fëmija juaj, kushëriri juaj, dikush nga familja juaj, kështu që mos e injoroni.”