“Ik te psikiatri o xhan”, debat mes Fjoralbës e Gracianos: Më mirë vras veten se të më godasë një femër!

39

Të dielën në mesditë, në rubrikën “Trotuar” në emisionin “ E diell” në Top Channel, tema e shtjelluar në gati 30 minuta kohë ngjalli jo pak debat. Dhunë në emër të dashurisë, për këtë u përfshinë në ngritje të larta zëri, sidomos një pjesë e pjesëmarrsve.

Tema nis me disa shprehje të dëgjuara prej të gjithëve si “Kush të rreh të do” apo “Dajaku ka dalë nga xheneti”. Ajo që e merr fjalën e para është moderatorja Fjoralba Ponari ku sipas së cilës dhuna është e patolerueshme dhe e pajustifikueshme pavarësisht çdo rrethane. Ndër të tjera ajo tha:

Një njeri që toleron dhunën, nesër toleron edhe vrasjen. Dhuna nuk mund të justifikojë kurrë dashurinë, dhuna gjeneron vetëm dhunë, gjeneron agresivitet, përulësi. Është shtazarake si gjë dhe në gjykimin tim absolutisht e pajustifikueshme.”

Pas Fjoralbës, është Nevina Shtylla ajo që shtron një tjetër argument. Sipas saj roli i medias është thelbësor në dhënien e mesazheve. Në fjalën e saj ajo bën autokritikë e ajo që bën përshtypje është fjalia: “Duhet ta rrahim publikun me edukatë

Ndërsa të ftuarit në studio vazhdojnë diskutiminin i cili duket më shumë i zjarrtë mes balerinit Graciono Tagani e moderatores Fjoralba Ponari, kjo e fundit vendos pikat mbi “i” e me tone të larta shprehet:

Nuk ka dhunë sistematike apo jo sistematike, ka vetëm dhunë. Nuk ka krim nga pasioni, nga dashuria, ka vetëm krim.”

Megjithatë Graciano nuk ndalet e i kthehet në këtë mënyrë Fjoralbës:

Të kundërshtoj pak Fjoralbën. Po flasim për një tek shpullë, nuk po flasim për dhunë të vazhdueshme. Ideja është këtu, ti je femër dhe të ikën truri dhe mashkullin tënd e godet.”

Në këtë moment, Fjoralba shpërthen dhe thotë:

Të ikën truri ty? Po ik te psikiatri o xhan, ik edhe mjekohu sepse ke probleme psikologjike.”

Teksa pothuajse të gjithë të ftuarit po i viheshin kundër, Graciano e mbyll këtë pjesë të vrullshme të debatit duke thënë:

Unë dhunën ndaj gruas e pranoj vetëm në krevat, në asnjë vend tjetër.

Pas shumë zërave të ngritur e një kakofonie argumentesh, Edi Manushi, në përpjekje për të ulur pak gjakrat në studio fton një vajzë, Erjolën, e cila tregon disa sondazhe. Pasi ajo tha disa % tejet shqetësuese sa i përket çështjes së dhunës ndaj grave në vendin tonë, Graciano qesh pikërisht me statistikën e fundit, sipas së cilës një përqindje e vogël e të anketuarve burra, pranuan se ishin dhunuar nga gratë. Kjo gjë iu duk Gracianos shumë për të qeshur e sërish pati kundërshtime të forta nga kolegët, sidomos nga Fjoralba e cila dukej këtë herë akoma më shumë e përfshirë në temë.

E me këmbënguljen e tij, Graciano i vë kapak budallallëqeve që po nxirtte nga goja me këto fjali:

Do vazhdoj ta mbroj këtë mendim me jetë. Nëse arrin dikush, një femër të vërë dorë tek unë, më mirë vras veten fare, e var aty kështu, vap vap.”