Gruaja zgjedh…-nga Lediona Braho

406

“Martohuni me një grua të bukur ose të shëmtuar. Me një të shkurtër ose të gjatë. Me një bjonde ose një brune. Por çfarëdo që të bëni, mos u martoni me një grua në karrierë.”

Nuk e di KUSH e ka thënë, por e kam një ide PSE e ka thënë.

Tre apo katër breza më parë, zgjedhja e karrierës nuk ishte problem për shumicën e të rinjve. Burrat ecnin në gjurmët e baballarëve të tyre ose merrnin çfarëdo zanat që kishte në bashkësitë e tyre. Shumica e grave merreshin me kujdesin ndaj fëmijëve, me punët e shtëpisë dhe ndihmonin familjen në bujqësi apo biznes ose ndiqnin profesione “femërore”, si sekretare, infermiere dhe mësuese. Ndërsa sot, vajzat dhe gratë në shumë shoqëri kanë shanse të njëjta me djemtë dhe burrat për të ndjekur arsimin e lartë, për të punuar me kohë të plotë, për t’iu përkushtuar karrierës, për të hapur biznesin e tyre dhe për të qenë aktive në jetën politike. Burrat kanë shumë gjasa të jenë më aktivë si prindër dhe të punojnë më shumë në shtëpi sesa baballarët e tyre.

Megjithatë stereotipet se si duhet të ngjajë dhe të sillet një “burrë i vërtetë: apo se cili është “roli i pranuar shoqëror” për gratë, vazhdojnë të sjellin ngatërresa dhe keqkuptime midis sekseve. Në përgjithësi, kultura jonë ushqen idenë se burrat zotërojnë, janë të fortë dhe agresivë, kurse gratë përshtaten, janë emotive dhe të dhimbsura. Për rrjedhojë, shumë djem të rinj mësohen të fshehin emocionet, nuk ia pranojnë as vetes se ndihen të dobët dhe për këtë arsye sulmojnë kur lypset të heshtin apo të pranojnë një dobësi. Në anën tjetër, shumë vajza mësohen të fshehin ambiciet e tyre, mohojnë talentin dhe pikat e forta, nganjëherë edhe vetes së tyre, ndoshta edhe nënshtrohen.

Ne mbartim ide të caktuara për rolet e grave dhe burrave në shoqëri dhe kemi pritshmëri të caktuara për sjelljen dhe aktivitetet e pranueshme të grave dhe të burrave, në mënyrë respektive. Shumë gra pyesin veten nëse mund të bëjnë një punë të plotë, karrierë dhe në të njëjtën kohë të kenë një bashkëshort, fëmijë dhe një shtëpi për t’u përkujdesur. Ato ndiejnë se duhet të zgjedhin një rol midis të tjerëve.

Studimet e kohëve të fundit kanë treguar se gratë profesioniste kanë shumë gjasa të divorcohen, të grinden dhe më pak gjasa të bëjnë fëmijë. Edhe nëse bëjnë fëmijë, ka shumë mundësi të jenë të palumtura. Gratë janë më të lumtura kur bashkëshorti i tyre është “fituesi primar i bukës.” Sipas disa studimeve, të martohesh me një grua në karrierë është “të gjesh belanë”. Nëse gruaja lë punën dhe rri në shtëpi me fëmijët, mund të jetë e palumtur. Një grua mund të jetë e palumtur nëse fiton më shumë para se burri i saj. Po ashtu, burrat mund të jenë të palumtur nëse fitojnë më shumë se gratë e tyre. Në fakt, lidhja midis punës së grave dhe nivelit të divorcit është komplekse. Disa studime tregojnë se punësimi jashtë shtëpisë rrit stabilitetin martesor, të paktën kur martesa është e lumtur. Nga ana tjetër, “një grua në karrierë mund të dëmtojë martesën, pasi mjedisi i punës siguron një vend partnerësh potencialë”.

Shumë njerëz ende besojnë se nëse një grua bëhet nënë, ajo duhet të heqë dorë nga shumë dëshira, mbi të gjitha nga karriera. Një lindje në moshën 40-vjeçare është si një fitore pas një ndeshjeje shumë të lodhshme. Nënat e sotme dëshirojnë të lindin pas të 40-ave, sepse mund t’i përkushtohen më shumë fëmijës duke qenë se e kanë kaluar moshën për të bërë karrierë ose sepse më parë nuk kanë gjetur një baba të përshtatshëm. Italia është shteti i parë në Europë ku është numri më i madh i nënave 40-vjeçare. Më pas vjen Franca e Britania e Madhe dhe Gjermania.  Gjatë 50 vjetëve të fundit, përqindja e grave në fuqinë punëtore të paguar është shtuar në mënyrë dramatike nga 35% në vitin 1955, në 60% në vitin 2003 (U.S Bureau of Census, 2005). Ndryshimi është akoma më i madh për gratë e martuara (29% kundrejt 61%). Shtimi i rolit të grave në sferën ekonomike është një prirje mbarëbotërore (Elloy & Mackie, 2002).

Edhe te gratë shqiptare, punësimi te gratë shqiptare kufizohet nga disa faktorë, si: detyrimi dhe përgjegjësia për rritjen e fëmijëve, kryerja e punëve të shtëpisë, niveli arsimor i ulët, aksesi i kufizuar në formimin profesional, etj. Megjithë vështirësitë, vitet e fundit gratë janë angazhuar më tepër në bizneset private, duke drejtuar biznese të ndryshme, sipas mundësive të kushtëzuara nga faktorët ekonomikë apo arsimorë. Gratë kanë ngritur bizneset e tyre, kryesisht në aktivitete ekonomike, si: tregti, shitje me shumicë, dyqane, shërbime të ndryshme si: dentist, noteri, avokati, parukeri, agro-biznes, industri, në prodhimin e bulmetit, tekstil, botime librash, rrobaqepësi dhe punime artizanale. Megjithatë, aksesi i gruas në arsimim është i barabartë me burrat, por kjo nuk u siguron atyre të njëjtat mundësi në tregun e punës. Situata e punësimit të gruas është më e favorshme në sektorin e administratës publike, ku gruaja zë 56% të të punësuarve, ndërsa burrat 44%. Pabarazia është shumë e dukshme ne sektorin privat, ku nje numer shume i vogël i grave, vetëm 17%, arrin në nivelin e menaxhereve.

Ekuilibrimi i kërkesave të karrierës dhe familjes është problem për shumë familje, sidomos për gratë. Edhe kur gruaja ka një punë me kohë të plotë jashtë shtëpisë, ajo ka gjasa të përfundojë duke bërë shumë më tepër se gjysmën e punëve të shtëpisë dhe të kujdesit ndaj fëmijës. Ajo, po ashtu ka gjasa të ketë dijeni për këtë mungesë ekuilibri dhe të mos e durojë dot. Puna me “dy turne”, njëri në punën e paguar jashtë shtëpisë dhe tjetri në punën e papaguar të shtëpisë, është një përvojë e përbashkët e miliona grave në mbarë botën. Pavarësisht presioneve që lidhen me turnin e dyfishtë, shumica e grave duket se kanë një rritje të vlerësimit të vetes, kur kanë një punë të paguar (Elliot, 1996). Po ashtu, ato kanë prirje të përjetojnë më pak ankth dhe depresion në krahasim me gratë që punojnë e nuk kanë fëmijë. Shumica dërrmuese thonë se do të vazhdonin të punonin edhe sikur të mos kishin nevojë për para. Gratë që kanë prirje më shumë të ndihen të stresuara nga turni i dyfishtë janë ato që nuk gjejnë kënaqësi në rolet e tyre të ndryshme.

Mendoni për një çast: Ke ndjekur universitetin, je diplomuar, ke sakrifikuar shumë gjëra, si shokët dhe lidhjet, vetëm për të pasur një karierë. Imagjino sikur ke takuar “burrin e duhur” dhe dëshiron vërtet të martohesh me të. Në përputhje me atë që pjesa më e madhe e grave të martuara bëjnë, mund të duhet të qëndroni në shtëpi, të mos punosh, të përkujdesesh për bashkëshortin dhe fëmijët, duke lënë mënjanë ëndrrat për karrierë dhe duke e lënë stresin financiar mbi shpatullat e burrit. Shumë njerëz mund të thonë se në këtë mënyrë cilësia e jetës do të bëhej më e mirë, por shumë të tjerë nuk bien dakord. Një grua mund të ketë aspirata për të pasur një familje dhe për t’u përkujdesur për shtëpinë dhe t’ia dalë mbanë me të dyja. Gratë mund të punojnë dhe të bëjnë karrierë edhe kur janë të martuara dhe kanë fëmijë. Kjo mund të funksionojë shumë mirë kur të dy partnerët vendosin të ndajnë përgjegjësitë e tyre, sepse në fund të fundit, të dy jetojnë në një shtëpi dhe kanë të njëjtët fëmijë. Pra, është krejtësisht e mundur të jesh një grua shtëpiake dhe një grua në karrierë në të njëjtën kohë, me kusht që të jesh e aftë të biesh dakord me të dyja rolet. Çelësi i suksesit është kompromisi.

Lediona Braho, psikologe