Gruaja franceze e përdhunuar në Prishtinë, thirrje për ndihmë

58

Njohja me një djalë nga Prishtina dhe martesa me të, doli se nuk ka qenë një vendim i drejtë dhe i menduar mirë siç pretendonte fillimisht një shtetase franceze.

Ajo në një intervistë për KALLXO.com ka rrëfyer se një javë pasi ishte njoftuar me tashmë burrin e saj, ishte martuar ndërsa kishin filluar problemet mes çiftit pasi siç pretendon ajo, burri kishte kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.

Shtetasja franceze tregon se si kishte filluar njohja me burrin e saj dhe tregon se cilat ishin përjetimet e saj pas martesës.

“Pas një jave që e takova unë shkova në shtëpinë e familjes së tij për të jetuar. Ai më kërkoi që të respektoj rregullat e shtëpisë së tij. Ai më tha që nuk guxoj të dal nga shtëpia vetëm dhe që mund të dalë jashtë e shoqëruar nga ai, apo nga anëtarët e tjerë të familjes së tij dhe këtë vetëm në rast se anëtarët e familjes do të kërkonin leje nga ai”, rrëfen shtetasja franceze duke thënë se burri e kërcënonte me vrasje nëse ajo e braktiste.

“Ai më tha: “Unë do të të vras nëse më braktis, unë do të të gjej, kam shumë miq në Prishtinë, kam sy gjithkund, kështu që do të të gjej”. Ai më kërcënoi edhe se do të më rrihte nëse do ta braktisja. Ai filloi të kontrollojë telefonin tim çdo ditë filloi të pyeste nënën e tij se ku isha, çfarë isha duke bërë, me kë flisja”, vazhdon rrëfimi shtetasja franceze.

Pas këtyre kërcënimeve, ajo tregon për edhe dhunën seksuale që pretendon se i kreu burri pa dashjen e saj.

“Pasi që u martuam, ai filloi që të më dhunonte. Ne u martuam më 29 shtator 2020 dhe pas kësaj ai filloi të mendoj që trupi im i takon atij dhe më shumë për faktin se tani ishim të martuar. Ai do të më bënte presion për të kryer seks anal, se vaginal me të dhe nervozohej me mua më fyente deri sa të pranoja këtë dhe unë pranoja vetëm që britmat të merrnin fund”, tregon tutje ajo, ndërsa shton edhe se kishte kërkuar nga ai të ndalonte për shkak se kishte dhimbje.

“Derisa ai po bënte seks anal me mua, unë kisha dhimbje dhe i kërkoja që të ndalonte, ai nuk ndalej por vetëm vazhdonte dhe pse i tregoja që kisha dhimbje. I tregoja që nuk mund të merrja frymë që po më zihej fryma, që po më vinte për të vjellë, por ai më thoshte që të mësohesha por nuk ndalej kur i thosha të ndalej”, vazhdon rrëfimin shtetasja franceze për marrëdhënien seksuale pa dëshirën e saj me burrin.

Gjatë intervistës ajo tregon edhe për një rast tjetër, atë kur burri i saj kishte sulmuar e therur me thikë dy shokët e shtetases franceze.

“Burri im kishte një thikë dhe një armë dhe hyri brenda e më pa me dy burra, ai filloi t’i therte, t’u mëshonte dhe po i kërcënonte me armë. Ai deshi t`i lidhte me litar për karrige. Kjo ndodhi muajin e kaluar”, tregon ajo.

Madje siç shpjegon tutje, burri i kishte kërkuar që shtetasja franceze të shkonte në Gjermani të punonte për të.

“Ai më tha se unë jam armikja e tij dhe nuk më konsideronte si grua. Më tha që dua të shkosh në Gjermani të fitosh para për mua, të punosh për mua në Gjermani dhe ta marrë atë me vete në Gjermani dhe të përdorim martesën tonë për të fituar statusin martesor”, vazhdon rrëfimin.

Tutje gruaja deri sa shpjegonte ngjarjet që kishte përjetuar, tregon edhe se kishte sulmuar dy herë burrin e saj, njëherë me gur.

Në anën tjetër, shtetasja franceze rrëfen edhe se kishte raportuar dhunimin seksual edhe në polici, por tash e një muaj, përveç rastit që nuk është trajtuar, asaj nuk iu bë asnjë ekzamimin mjekësor për të konstatuar nëse është dhunuar apo jo.

“Nuk e di nëse duhet ta them emrin e saj, Dinora Osmani, ajo më mori deklaratën por nuk fliste anglisht, nuk kishte përkthyes, nuk kishte mjek që të më kontrollonte, ajo thjesht më dha një letër dhe më tha thjesht shkruaj se çfarë ka ndodhur në letër”, shpjegon tutje gruaja – shtetase e Francës.

“Asnjëherë nuk më kanë ofruar mundësinë që të shkoj te mjeku, asnjëherë nuk e kam dëgjuar këtë mundësi nga ta. Kallëzimin e kam bërë më 3 nëntor, para një muaji, në Gjykatë kam shkuar më 16 nëntor kështu që janë bërë dy javë”, vazhdon rrëfimin ajo duke thënë se pret që burri i saj të gjykohet dhe të vuaj dënimin e merituar.

Në lidhje me këto pretendime të shtetases franceze, se nuk iu ofrua ekzaminimi mjekësor pasi kishte raportuar në Policinë e Kosovës se ishte dhunuar seksualisht nga burri i saj, KALLXO.com kishte kërkuar sqarime edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Prokurori i rastit, Armend Hamiti në një përgjigje të shkurtë për KALLXO.com nuk ka dhënë detaje në lidhje me rastin duke thënë se janë ndërmarrë një varg veprimesh.

“Në pajtim me obligimet që dalin nga ligji dhe procedurat standarde të veprimit i kemi ndërmarrë një varg veprimesh hetimore të cilat për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimit dhe evitimit të çfarëdo mundësie për pengim të procedurës apo ndërhyrjes së jashtme, nuk kemi në gjendje të ofrojmë informacion të detajuar”, thuhet në një përgjigje të prokurorit për KALLXO.com.

Në emisionin e KALLXO.com i transmetuar mbrëmë, u dëgjuan rrëfimet e viktimave të dhunës në familje e të cilat raste nuk janë zgjidhur ende, e të dyshuarit janë të lirë.

Pas rrëfimit të shtetases franceze KALLXO.com transmetoi edhe një intervistë të një gruaje e cila rrëfeu se burri i saj është zyrtar policor e edhe recidivist i dhunës në familje.