“Grua nuk lind por bëhesh”, Shqiptar Oseku: Ja pse duhet të themi burrë/grua dhe jo mashkull/femër

128

Fjala “femër” (me ekuivalentin anglisht “Female”) bazohet kryekëput mbi gjininë seksuale. Ajo përdoret edhe për florën e faunën, ta zëmë “lulja mashkullore”, apo “gorilla femër”. Feministët, ndërkaq, ngulmojnë se gruaja (dhe burri) në shoqërinë njerëzore është produkt social e kulturor. Ky është kuptimi i thënies së famshme që porosit feministët kudo në botë se “grua nuk lind po bëhesh”. Ne si shqiptarë kemi “burrneshat” si shembuj tanë vendorë që e dëshmojnë këtë, sa deciziv që është koncensusi social kur bëhen kategorizimet e cilësimet e gjinive. Jo vetëm grua, por edhe burrë s’lind po bëhesh! Disa do të thonë, jo po kështu thuhet në shqip, “femra”, nuk bën ta ndryshojmë gjuhën…

Ta zëmë, ekziston një listë e gjatë fjalësh të reja që ne i përdorim përditë, si facebook, laptop, bashkëjetesë, divorc etj që deri dje nuk ekzistonin fare. Poashtu, ka fjalë të cilat i përdorim në kuptim krejt tjetër nga ai burimor. Dhe ka, natyrisht, edhe fjalë të cilat më nuk i përdorim a përpiqemi të mos i përdorim, pse nuk janë adekuate më, ose pse jemi sensibilizuar si rreth. Ta zëmë, fjalë si “negër”, “zezak”, “kurvë”, “lëneshë”, “shterpë” etj. Gjuha pra ndryshon përditë. Pse të mos promovojmë edhe ne si feministë një qartësim tonin? Mos shkruaj “femër”, se në shoqërinë njerëzore të jesh grua nuk është vetëm rrethanë biologjike, si te gorillat. Ne përdorim rregullisht termat “burrë” e “grua” në vend të “mashkull” e “femër”.

Arsyeja është e thjeshtë, e ka të bëjë me ideologjinë feministe. Feminizmi pushon mbi një pandehmë themelore. Ai thotë se pabarazia gjinore te njerëzit nuk ka arsye biologjike, po sociale e kulturore. Ky është kuptimi i thënies nga feministja e famshme Simone de Beavuoir, që porosit se “nuk e definon trupi situatën, po situata trupin”. Pra “Grua nuk lind, po bëhesh”  thotë Simone de Beavuoir te “Seksi i Dytë”, duke qartësuar se gjinia sociale (ajo që e quajmë “gender”) sajohet jo nga biologjia, po nga trajtimi social e kulturor. Këtu qëndron pra problemi. Siç e di edhe ti, fjala “femër” (me ekuivalentin anglisht “Female”) definon tiparet biologjike. Ajo përdoret edhe për florën e faunën, ta zëmë “lulja mashkullore”, apo “gorilla femër”.

Termat “burrë” dhe “grua”, në anën tjetër, përdoren veçmas për specien njerëzore. Poashtu, ato vendosin theksin mbi anën sociale e kulturore të gjinisë. Ta zëmë, shprehjet “burrë i mirë” a “grua e mirë” (apo e kundërta e tyre) ndërlidhen gjithmonë jo me biologji, po me mostra sjelljesh e trajtimesh, që interpretohen pozitivisht a negativisht në kontekstin e vet. Gjë që i shkon, pra, më mirë për shtati ideologjisë feministe.

Ka një fushë të veçantë të studimeve feministe që merret ekskluzivisht me reprodukimin e patriarkatit në politikat gjuhësore. Shih “The Feminist Critique of Langugage” me shkrime nga shumë autorë, e të redaktuar nga Deborah Cameron që ti mund të gjesh sot edhe botime më të reja, më komplete. Por ne si shqiptare kemi një fenomen tonin autentik, që vërteton se gjinia sociale nuk pushon mbi biologjinë, po mbi koncensusin social e kulturor. “Burrneshat” e Alpeve shqiptare, ato biologjikisht ishin gra. Por në kontekstin të vetin, ekzistonte një koncensus social e kulturor që ato të bëheshin “burra”, e pikë!

Simone de Beavuoir do të kish buzëqeshur ndaj këtij fenomenit tonë shqiptar. Ajo do të kish shtuar se e njëjta si për gruan vlen edhe për burrat: burrë nuk lind, po bëhesh. Femër ndoshta lind (se është biologji) por vajzë, grua: të tillë të bën shoqëria. Disa do të thonë, jo po kështu thuhet në shqip, “femra”, nuk bën ta ndryshojmë gjuhën… Por gjuha nuk është statike, ajo është dinamike dhe pasqyron ndryshimet e kohës. Sa për kuriozitet, vetë fjala “feminizëm”, as që ndodhet në fjalorin e shqipes standarde nga viti 1974 . Ne deshëm, s’deshëm po përdorim fjalë të reja. Kështu i bëjmë një shërbim të shkëlqyer shqipes, e sjellim në shek. XXI.

Shqiptar Oseku