16 vjeçe kur u përdhunua nga serbët, kosovarja merr çmim për paqe

49

Megjithëse ende nuk ka arritur të fitojë atë për të cilën ka vite që lufton, dënimin e ushtarakëve serbë të cilët kanë abuzuar me mijërë gra dhe vajza gjatë luftës në Kosovë, një prej tyre edhe vetë ajo, Vasfije Krasniqi Goodman është përzgjedhur si fituese e çmimit Kim Bok-dong për Paqe për vitin 2019. E mbijetuara e dhunës seksule ka marrë këtë çmim i cili ndahet nga Këshilli Korean për Drejtësi dhe Përkujtim të Çështjeve të Skllavërisë Seksuale Ushtarake nga Japonia, dhe nderon individët apo organizatat që punojnë për të zgjidhur çështjen e dhunës seksuale gjatë luftës dhe për të siguruar të drejtat e grave në konfliktet e armatosura anembanë botës.
“Vasfije Krasniqi Goodman është e angazhuar në ndërgjegjësimin e njerëzve lidhur me përdhunimet gjatë luftës ndërsa është edhe personi i parë që ka ndarë publikisht historinë dhe traumën e saj të dhunës seksuale, që kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Këshilli Korean për Drejtësi dhe Përkujtim të Çështjeve të Skllavërisë Seksuale Ushtarake.
Disa ditë më parë Krasniqi e ka ndarë historinë e saj edhe përpara Kongresi Amerikan në një përpjekje të palodhshme për të vendosur dretësi. Ajo është e para e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, e cila ka vendosur që të ndajë me publikun e gjerë rastin e saj, pa e fshehur identitetin. Shumë prej personave që kanë përjetuar tmerret e luftës në Kosovë nuk kanë guximin t’ia tregojnë ato as të dashurve të tyre, por për Vasfijen nuk është e njëjta gjë.
Cila është në fakt historia e saj?
Ishte vetëm 16 vjeç kur një polic serb e rrëmbeu atë në sy të nënës që bërtiste, xhaxhait dhe 3 kushërinjve të saj. Pas kërcënimeve mbi jetën, askush prej të afërmve të saj nuk mund të bënte asgjë. Polici mbante me vete një automatik AK47 dhe një thikë, ndërkohë që gjithë të tjerët ishin të paarmatosur. Vasfija tregon se polici e çoi në një fshat serb dhe se nëse do të qante, ai do të kalonte thikën përmes trupit të saj.
Unë humbisja ndjenjat herë pas here, dhe çdo herë e shihja atë sipër vetes. Pas aktit të dhunshëm ai më la në një makinë dhe dikush tjetër abuzoi sërish me mua pasi më dërgoi në një shtëpi. U jam lutur shumë që të më vrisnin, por e vetmja përgjigje ishte “do të vuash më shumë në këtë mënyrë”, dhe kishin të drejtë. Që nga ai moment dhe 19 vjet më vonë unë ende vuaj e s’kam për ta harruar kurrë datën 14 prill,- thotë ajo.
Kur më kthyen në shtëpi e gjeta nënën time duke qarë. Në atë moment ne u larguam prej aty për tu fshehur në male dhe nuk u kthyem deri sa mbaroi lufta në vitin 1999.
Vasfije Krasniqi Goodman kaloi vite pa folur me askënd veç policisë dhe Kombeve të Bashkuara. Ajo ka luftuar për drejtësi nga 1999-ta deri në 2014, por gjykata i ka lënë abuzuesit të lirë për mungesë provash. Familja e saj nuk fliste kurrë për ndodhinë, megjithëse të gjithë ishin të vetëdijshëm për çka kishte ndodhur. Në vitin 2010 ajo vendosi të thyejë heshtjen dhe tregoi në mënyrë të detajuar historinë e saj.
Sot Vasfije Krasniqi Goodman është nënë e dy fëmijëve, dhe është themeluese e organizatës “Drejtësi për të gjithë”, ku nëpërmjet saj kërkon të zbardhen shumë të vërteta, për gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Sipas saj ato nuk janë “ndëshkuar” vetëm në luftë, por edhe nga familjarët e tyre.
Gjatë luftës së Kosovës në shumë se 20 000 gra e vajza është ushtruar dhunë seksuale, fizike e psikologjike nga policë serbë e jugosllavë duke lënë pasoja të rënda emocionale tek to. Të rrethuara nga turpi dhe stigma në shoqërinë shqiptare shumë prej tyre ende vuajnë ato që i kanë ndodhur pa ia rrëfyer askujt krimet e rënda të serbëve.