“Eksitimi” i Gjinushit, organizatat e grave kërkojnë qëndrim nga Akademia e Shkencave

50

Veç reagimit masiv nga vetë gazetarët dhe një peticioni online të nënshkruar tashmë nga mijëra vetë, një reagim zyrtar ka ardhur për gjuhën diskriminuese të përdorur nga kryetari i ri i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi. Në një letër të hapur AWEN (Rrjeti i Fuqizimit të Gruas) i cili përfshin 10 organizata që luftojnë kundër dhunës me baraza gjinore dhe fuqizimin e grave i kanë drejtuar një letër të hapur Asamblesë së Akademisë së Shkencave ku kërkojnë që ky institucion të mbajë qëndrim ndaj gjuhës diskriminuese ndaj gazetareve.
“Duke marrë shkas nga gjuha dhe qëndrimi fyes i përdorur nga Z.Skënder Gjinushi, i sapozgjedhur në detyrën e nderuar të Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ndaj gazetares Enkeleda Mema gjatë një interviste në datën 24 Maj 2019, sjellim në vëmendjen tuaj shqetësimin e thellë që kemi për faktin se qëndrime të tilla po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe janë pjesë e gjithë aktualitetit social, politik e kulturor të vendit. Ajo që na shqetëson më tepër në këtë rast është se kjo gjuhë po përvetësohet edhe nga përfaqësuesit më të lartë të shkencës”-thuhet në letrën e hapur të AWEN.
Për këtë arsye Rrjeti i Fuqizimit të Gruas i bën thirrje Asamblesë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të reagojë menjëherë dhe të bëjë përgjegjës Z.Gjinushi për gjuhën e përdorur, me qëllim që kjo gjuhë të mos zërë vend në qarqet e urta të shkencës shqiptare.
AWEN i bën thirrje edhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe organizmave të tjerë që sipas detyrave të tyre të mbajnë qëndrim në bazë të ligjit dhe të veprojnë kundër gjuhës së papranueshme, diskriminuese dhe seksiste të përdorur.“Qëndrime të tilla jo vetëm që janë hapa pas për një vend dhe një shoqëri demokratike, por janë qëndrime diskriminuese dhe në kundërshtim të plotë me Konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin kundër diskriminimit dhe dhunës me bazë gjinore”-përfundon letra e AWEN.