E masakruar me sëpatë, vrasja që shtyu 23 vjeçaren të jetë “kufoma e ardhshme”

230

Vrajëm,

po vrajëm nëse nuk t’kom pshty n’ftyrë

e s’t’i kom numru t’kqijat

tu t’sha e tu t’mallku!

Vrajëm,

nëse sa here ke dasht me m’malltretu

unë t’kom duru.

Vrajëm nëse t’kom msu

me m’fol qysh ke dashtë,

vrajëm,

Qo dorë n’mu

veç pse jom gru.

Tek shfleton facebook-un e aq më tepër Instagramin rrallë të zënë sytë poezi, të recituara mund të numërohen edhe me gishtat e dorës. E megjithatë një vajzë ia doli të më tërhiqte vëmendjen. Më vonë kuptova se ishin dy ato që fshiheshin pas një poezie revoltuese, autorja Kaltrina Pacolli e interpretuesja Rita Behadini. Shumëkush mendon se poezia ka titullin “Vrajëm” dhe me të drejtë, sepse kjo fjalë përsëritet plot 19 herë në të. Çfarë e preku shumë 23 vjeçaren nga Tetova për të hedhur me zë 119 rreshtat e poezisë “Unë, kufoma e ardhshme”, sërish me po të njëjtin revoltim, na e ka rrëfyer vetë Rita për Bitch Magazine. Do të ishte vrasja e një gruaje në Gostivar që e bëri atë të vishej me të zeza, të vendosej në një dhomë të bardhë e të hidhte gurin e saj në peshoren e barazisë gjinore, përballë një realiteti të vështirë për shumë gra e vajza, emrat e të cilave i gjen në kronikat e zeza të lajmeve.

“Një grua e vrarë në mënyrë makabre me thikë dhe sëpatë, kufoma e të cilës u gjet në dhomën e saj. Dhe ajo nuk është e vetmja. Ndoshta nuk kemi mjaftueshëm pushtet dhe fuqi të ndryshojmë në një periudhë afat shkurte ligjet dhe të bëjmë institucionet të reagojnë në mënyrën e duhur, por mund t’i mbrojmë viktimat duke ju treguar se nuk janë vetëm dhe se nuk e meritojnë dhunën. Asnjëra prej tyre.”

Sipas Ritës, vetëm kur t’u kemi siguruar grave një ambient të sigurtë ku mund të jetojnë, mund të punojmë që t’i avancojmë në të tjera sfera. E befasuar, ajo na tregon për impaktin që ka patur kjo poezi dhe sa vajza e gra e kanë gjetur veten në interpretimin e saj.

“Unë nuk e prisja që të arrijë në aq shumë zemra. Normalisht, e dija që do shpërndahet dhe pëlqehet, por jo që do ta ndjejnë nën lëkurë me qindra e mijëra njerëz. Nëse ka pasur apo jo impakt bazohem në mesazhet që kam marrë: gra viktima të dhunës, gra që i kanë shpëtuar dhunës, njerëz që njohin gra që kanë kaluar nëpër të tilla situata. Kam përshtypjen që kjo poezi ju ka dhënë zë dhe forcë grave që përballen çdo ditë me dhunën. Kam marrë pafund mesazhe dhe komente, të gjitha mbështetëse dhe uruese. Njerëzve ju ka pëlqyer poezia dhe interpretimi, të paktën kështu më kanë dhënë përshtypjen. Shumica prej tyre më kanë thënë se ka arritur të përçojë emocion te to, dhe besoj që poezia atë qëllim ka, të të bëjë të ndjesh diçka.”

E bindur dhe pa frikë, Rita nuk është nga ato që zgjedhin të qëndrojnë duarkryq përballë një shoqërie dhunuese, shtypëse e madje shpeshherë përccmuese ndaj grave. E re e me një shok përkrah vetes Rita, me vetëbesim e forcë është në një përpjekje për ta balancuar sadopak peshoren që deri më tani tregon se 52,9% e grave kanë përjetuar një ose më shumë foma të dhunës gjatë jetës së tyre.

“Më tepër tallemi se sa zihemi, meqë kur flitet për aspektet gjinore të dy ndajmë të njëjtat mendime dhe nuk ndodh të kemi kundërshtime, por bëjmë shaka pa kripë ndonjëherë. Jo vetëm ai por edhe shoqëria dhe njerëzit përreth shpesh bëjnë shaka me punën që unë bëj por edhe me feminizmin në përgjithësi, meqë kur lufton për të drejtat e grave ndonjëherë shihesh edhe si “ajo që i lufton burrat”. Megjithatë, jam mësuar t’i pranoj edhe këto shaka.” 

Rita Behadini është moderatore e emisionit të mëngjesit në televizionin Alsat në Maqedoni e njëkohësisht themeluese e Qendrës për Mundësi të Barabarta që ka në fokus mbrojtjen e të drejtave të grave në Shkurt. Ajo njihet si aktiviste. Nisma “Shtatori këtë mot, me çantën plot” e cila ka filluar vitin e kaluar arriti që të gëzonte 358 fëmijë duke i siguruar atyre të gjitha mjetet shkollore të nevojshme.

Bitch Magazine, Agida Koçi