Dita e aktivizmit, 12-vjeçarja marshon për të drejtat e vajzave

34
Ajo ka dëshirë të debatojë sepse është avokate.

Një 12 vjeçare ka ngritur sot zërin kundër mentalitetit që e konsideron teknologjinë e informacionit një fushë jo të përshtatshme për vajzat. Ajna, nxënëse e shkollës 9 vjeçare “Mihal Grameno” bashkë me disa bashkëmoshatarë të saj u bënë pjesë e marshimit në Ditën Ndërkombëtare të Aktivizmit. Duke folur drejtpërdrejt për emisionin “Wake Up” në Top Channel, Ajna tha se kauza për të cilën ajo u bë pjesë e kësaj dite është pikërisht “Fuqizimi i vajzave”.

“Unë desha të thoja që ne të gjithë jemi të barabartë dhe sidomos ne vajzat duhet ta tregojmë këtë. Së fundmi unë jam bërë pjesë e një projekti në IT. Deri dje vetëm djemtë mund të merreshin me teknologji dhe robotikë por tani unë dhe një grup i madh vajzash jemi bërë pjesë dhe po mundohemi ta ndryshojmë këtë mentalitet sipas së cilit vajzat nuk mund të merren me këtë teknologji”-tha Ajna.

Ndërkaq në Ditën Ndërkombëtare të Aktivizmit, aktiviste dhe anëtaret e shoqatës “Unë Gruaja”, Qendrës Psiko-Sociale “Vatra” dhe “Aleanca Gjinore për Zhvillim pjesë e AWEN (Rrjetit të Fuqizimit të Gruas) marshuan për Fuqizimin e Gruas.

Anëtare të rrjetit AWEN

22 tetori njihet si dita kombëtare e aktivizmit dhe me këtë rast u zhvilluan një sërë aktivitetesh të cilat synojnë që të nxisin individët dhe shoqatat në shërbim të komunitetit. Kjo ditë njihet ndryshe si dita dedikuar njerëzve dhe nismave që guxojnë për të përmirësuar problematikat shqetësuese të shoqërisë, pavarësisht, gjeografisë, racës, etnisë apo gjinisë.

Grupime të ndryshme marshuan sot për kauza të caktuara si: të drejtat e njeriut, fuqizimi i gruas, mbrojtja e mjedisit…etj. Përtej kësaj, u organizua edhe panairi i aktivizmit në sheshin “Skënderbej”, ku organizata të ndryshme shpalosën aktivitete konkrete të prekshme për të gjithë. Fokusi i këtij viti ishte angazhimi i sa më shumë të rinjve dhe për këtë arsye organizatat mund të ndërveprojnë me grupe rinore apo shkolla të ndryshme.