Dhuna në karantinë, rriten raportimet e grave që kërkojnë ndihmë

97

Në mbarë botën, ndërsa njerëzit janë izoluar për të frenuar përhapjen e koronavirus, përpjekjet masive për të shpëtuar jetë njerëzish kanë vënë më shumë në rrezik veçanërisht një grup vulnerabël. Gratë dhe fëmijët që jetojnë me dhunën brenda mureve të shtëpisë nuk kanë mundësi ti shpëtojnë abuzuesve të tyre gjatë karantinës. Që nga Brazili, Gjermani, Italia apo Kina aktivistë dhe të mbijetuar thonë se po shohin një rritje alarmante të abuzimit dhe dhunës.

Në provincën kineze Hubei, zemra e shpërthimit fillestar të Covid 19, raportimet për dhunë në polici janë 3-fishuar që prej izolimit në shkurt. Sipas medias lokale nga 47 që raportoheshin vitin e kaluar, tashmë kanë arritur në 162 për të njëjtën periudhë.“Epidemia ka patur një impak të jashtëzakonshëm në dhunën brenda familjes”-thotë Wan Fei, ish punonjëse e policisë e cila ka themeluar një fushatë bamirësie kundër abuzimit. “Sipas statistikave tona, 90% e rasteve të dhunës janë të lidhura me epideminë e Covid-19”.

Po nuk bëhet fjalë për një fenomen lokal, përkundrazi e njëjta tendencë shihet në rang global. Në Brazil sipas rrjetit televiziv Globo, një strehëz shtetërore raporton një rritje të rasteve për shkak të izolimit nga koronavirus. “Ne mendojmë se ka një rritje prej 40-50% dhe kemi patur shumë kërkesa për ndihmë”-thotë Adriana Mello, specialistja juridike në Rio de Janeiro.

Ndërkohë qeveria rajonale e Katalonjës deklaroi se telefonatat në linjën e gjelbër janë rritur me 20 % në ditët e para të izolimit. Në Qipro, thirrjet u rriten me 30% që pas 9 marsit kur ishulli konfirmoi dhe rastet e para me koronavirus.

“Ka patur një rritje dramatike që vazhdon”-thotë Anita Draka, nga shoqata e parandalimit të dhunës brenda familjes me bazë në Nikosi, kryeqytetin e Qipros. Sipas saj, këto shifra alarmante kanë të bëjnë me rastet kur gratë kanë mundësi të kërkojnë ndihmë, sepse shumë prej tyre nuk arrijnë as të telefonojnë sepse janë nën mbikqyrjen e partnerëve të tyre abuzivë të cilët I ndalojnë edhe të largohen nga shtëpia.

Mesazhe dëshpëruese në Itali

Ndërkohë edhe në Itali, aktivistët thonë se thirrjet tek linjat e ndihmës kanë rënë por ata po marrin mesazhe telefonike apo emaile dëshpëruese.“Morëm një mesazh nga një grua e cila ishte kyçur në banjo për të na shkruar e për të kërkuar ndihmë”-tha Lella Palladino, nga “EVA Cooperativa”, një grup aktivistësh për parandalimin e dhunës ndaj grave. “Ka më shumë dëshpërim tani, pasi gratë nuk mund të dalin nga shtëpitë”-thotë ajo. Sipas Palladinos, pritet një shpërthim “eksploziv” i raportimeve sapo të jenë lehtësuar masat e izolimit.

Në Spanjë, aty ku rregullat e lëvizjes janë edhe më strikte e shumë njerëz po gjobiten për thyrjen e tyre, qeveria ka deklaruar se gratë nuk do të gjobiten nëse largohen nga shtëpia për të raportuar abuzimin. Por në 19 mars, u shënua edhe viktima e parë e dhunës brenda familjes që prej shpërthimit të pandemisë, kur një grua u vra nga bashkëshorti në sy të fëmijëve në provincën e Valencias.

Në fakt rritja e kërcënimit ndaj fëmijëve dhe grave ishte parashikuar nga aktivistët si efekt anësor i izolimit për shkak të koronavirusit. Rritja e abuzimit apo dhunës është një fenomen i përsëritur gjatë situatave të emergjencës, qofshin konflikte, kriza ekonomike apo epidemitë e sëmundjeve, megjithëse ekspertët thonë se rregullat e karantinimit paraqesin sfidën më të madhe.

Për këtë arsye në shumë vende po shtohen thirrjet për ndryshime ligjore apo policore për të reflektuar rritjen e rrezikut ndaj grave e fëmijëve në karantinë. Kështu në Britaninë e Madhe, Mandu Reid, lidere e partisë Barazi Gjinore i ka bërë thirrje për kompetenca speciale për policinë për të larguar dhunuesit nga shtëpitë gjatë izolimit. Në Gjermani, kryetarja e partisë së të gjelbërve Katrin Göring-Eckardt, tha se druhet për jetën e mijëra grave të izoluara me partnerët e tyre të dhunshëm dhe I bëri thirrje qeverisë që të ndihmojë financiarisht strehëzat e shpëtimit.

Ndërkaq në shtetin Indian Uttar Pradesh, që ka shifrën rekord të rasteve të dhunës ndaj grave, tashmë një linjë e re ndihme ka nisur të funksionojë, pas rritjes së raportimeve. “Shtypni Koronën, por jo zërin tuaj” -thuhet në një njoftim të publikuar në faqen e parë të një gazete. Ndërkohë policia ka premtuar se një oficere grua do të trajtojë secilën prej viktimave dhe se do të arrestohen dhunuesit në çdo rast.

The Guardian