“Asnjë grua tjetër”, manifestim para Kryeministrisë pas vrasjes së Irvana Hykës nga bashkëshorti

11

“Anjë grua tjetër”, ishte slogani që mbanin në duar disa gra përpara kryeministrisë pak orë pas lajmit se një gruaje i ishte marrë jeta prej burrit të saj. Irvana Hyka, 28 vjeç, humbi jetën si pasojë e goditjeve të shumta me thikë nga bashkëshorti i saj Demokrat Medinaj, në sy të dy fëmijëve,.

Gjatë manifestimit, secila grua mbante në duar nga një gërmë të tog-fjalëshit “Asnjë gua tjetër” për të dhënë edhe një herë mesazhin se gratë shqiptare nuk duhet të përfundojnë të vdekura prej burrave të tyre.

Vajzat dhe gratë e mbledhura dënuan aktin e rëndë të cilësuar si një rutinë normale shoqërore në brenda një sistemi shtypës patriarkal. Ato gjithashtu rikujtuan edhe një herë numrat 116, 117 dhe 116, 111 në rast se ndonjë grua apo vajzë ka nevojë për ndihmë dhe nuk dinë ku të drejtohen.

Në deklaratën e lexuar njëzëri u prek ndër të tjera roli i shtetit në detyrën për të krijuar struktura sociale mbrojtëse.

Ky shtet, ku jeta ka kaq pak vlerë, ka refuzuar të çojë përpara politika sociale, që do t’i edukonin gratë dhe burrat për të qenë aleatë me njëri-tjetrin, jo armiq. Arsimi është gjunjëzuar në 30 vite zhvatje, diskriminim ekonomik dhe mungesë mendimi kritik. Një dramë nga e cila është prekur veçanërisht gruaja. Ajo ose është rikthyer në vatrën familjare, ku i shërben kryepatriarkut dhe çdo burri tjetër që e shoqëron atë brenda këtij gjiri, ose (njëkohësisht) është degdisur të punojë për një pagë nën minimalen, që rishtas i shërben mentalitetit patriarkal, ku ajo frymon dhe jo çlirimit apo emancipimit të vetë asaj”.

Heshtja dhe mos reagimi nga shoqëria ishte një tjetër shqetësim i artikuluar përmes megafonit.

Referuar të dhënave të Policisë së Shtetit përgjatë vitit 2020 janë evidentuar 4701 raste të dhunës në familje, ndërsa janë shënuar shtatë viktima, gjashtë prej të cilëve janë gra.

Përgjatë 2020 janë lëshuar 2816 urdhra të menjëhershëm të mbrotjes, prej të cilëve 138 janë shkelur.