A pajtohet feminizmi me Shqiptarinë?

29
Burimi: kosovotwopointzero.com

Duke kërkuar në internet studime kërkimore për të drejtat e grave në Kosovë, më bëri përshtypje një koment të cilin nuk po e heq dot nga mendja. Një feministe e quajtur Eli Krasniqi, risjell një shprehje të dëgjuar më parë se ligjeve për mbrojtjen e grave nuk u vjen era shqip. Kjo më shtyn të mendoj, a pajtohet feminizmi me konceptin e shqiptarisë? Me shqiptarizëm i referohem identitetit të përbashkët të shqiptarëve në të gjithë globin që është i besimit ‘feja e shqiptarit asht shqiptaria’.

Të drejtat e grave apo mungesa e tyre në Kosovë janë shqyrtuar gjithnjë e më shumë vitet e kaluara dhe me të drejtë. Ngjarja e vitit të kaluar, e cila bën fjalë për përdhunimin e pretenduar të një vajze nga Drenasi, u bë lajm në mediat botërore duke nxjerrë kështu në pah pamjaftueshmërinë dhe dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë për të mbrojtur qytetaret gra. Për të analizuar pozicionin e një gruaje në shoqërinë shqiptare, duhet të kryejmë vëzhgime nëpërmjet lenteve historike. Mënyra më e mirë për ta filluar këtë vëzhgim është kanuni. Kanuni është një sistem ligjesh tradicionalë të shkruar 5 shekuj më parë. Gjithashtu ky sistem nuk përpiqet aspak ta fshehë pozicionin e gruas shqiptare si një qytetare e rangut të dytë në jetën e përditshme.

Edhe pse kanuni prej kohësh është i jashtëligjshëm dhe nuk përdoret më për të diktuar jetën e njerëzve, ai ende influencon shqiptarët si në Shqipëri, edhe në Kosovë e madje edhe shqiptarët e Diasporës. Në kanun gjejmë shprehje të tilla si:

  1. Një grua është një thes, ndaj është bërë për të duruar.
  2. Nëse gruaja nuk sillet siç duhet kundrejt burrit të saj, ai mund ti presë flokët, ta zhveshë atë lakuriq, ta dëbojë nga shtëpia në prezencë të të afërmve të saj dhe ta ndjekë me kamzhik në të gjithë fshatin.

A është befasi që seksizmi në shoqërinë shqiptare është i shfrenuar kur në frazat e mësipërme nënkuptohen disa nga përbërësit thelbësorë të identitetit shqiptar? Gratë ishin të përjashtuara nga gjakmarrja dhe kjo jo për shkak të shqetësimit për sigurinë e tyre por sepse konsideroheshin të padenja për vrasje nderi. Përgjatë historisë, gratë shqiptare kishin zë vetëm kur nuk konsideroheshin më gra. Hidhini një sy fenomenit të veçantë dhe magjepsës   ‘Burrnesha’ (rrënja e fjalës që është burrë pasohet nga prapashtesa femërore nesha).

Çfarë kishin të përbashkët përdhunuesit e pretenduar të vajzës nga Drenasi, përveç të qënit të dyshuar? Ata ishin burra në pozita të pushtetshme. Ky zë shurdhues i seksizmit e ka mbytur zërin e shumë grave në Kosovë duke çuar në një numër vdekjesh të parandalueshme. Rrjeti raporton se 69% e grave në Kosovë kanë përjetuar raste të dhunës në familje gjatë jetës së tyre. Zejnepe Berisha u vra nga bashkëshorti i saj pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme në polici për sjellje abuzive. Burri i saj ende nuk është kapur. Sipas Agjensisë së Statistikave në Kosovë në vitin 2019 vetëm 13.3% e grave janë punësuar në krahasim me 43% të burrave.

Unë nuk dua të zbeh progresin e Kosovës në luftën kundër seksizmit. Për herë të parë ky shtet ka një grua kryetare të Kuvendit dhe pesë gra drejtuese të ministrive kryesore. Qëndrimet kanë filluar të ndryshojnë edhe pse u deshën gati dy shekuj që këto biseda të merrnin jetë. Monumenti NEWBORN në Kosovë, ndryshe i njohur si monumenti i Heroinave i ngritur në kujtim të 20.000 viktimave të përdhunimit gjatë luftës, më krijoi një shpresë të hidhur kur e vizitova herën e fundit. Shikoni si paragjykohen gratë në media lidhur më veshjen, statusin shoqëror dhe me e rëndësishmja me pamjen fizike. MARRE thonë kosovarët. (TURP).

Ndryshimi fillon nga të gjithë ne. Fillon nga qortimi për dikë që përdor fjalën kurvë, fillon duke pyetur nënat dhe vajzat se përse burrat nuk e pastrojnë kurrë tryezën pas buke duke pritur këto të fundit që ta bëjnë, dhe duke pyetur veten pse duhet paragjykuar një grua e divorcuar pa e njohur atë më parë?

Ndoshta ajo që duhet realisht të pyesim është se: ‘çfarë do të thotë të jesh shqiptar në vitin 2020’ a pajtohet me feminizmin?