400 km në këmbë për vajzat dhe gratë, 58 vjeçarja mbërrin në Ottawa

23

Një grua 58 vjeçe mbërriti sot në Ottawa, kryeqytetin e Kanadasë pasi kishte ecur për 13 ditë në mbështetje të barazisë gjinore dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi abuzimet ndaj vajzave dhe grave afgane. Zarmina Nekzai u nis që nga shtëpia e saj në Barrie, qytet në Ontario dhe përshkoi në këmbë 412 kilometra. “Jam shumë e emocionuar por edhe nervoze”-tha Nekzai për mediat kanadaze ndërsa mbërriti në Ottawa. “Për ço hap që kam hedhur, kishte një dëshirë për të gjitha vajzat dhe gratë në mbarë botën”-tha ajo.
Ky udhëtim 13 ditor nuk ishte aspak i lehtë për Nekzai, veçanërisht në ditët kur u përball me erëra të forta gjatë rrugës. Qëllimi i Nekzai është të ngrejë çështjen e arsimimit, strehimit dhe kujdesit shëndetësor për të gjitha gratë dhë fëmijët. “Gratë e fuqizuara janë të shëndetshme, të arsimuara dhe rrisin familje po aq të shëndetshme duke rritur edhe ekonominë”-tha ajo.

Nekzai u rrit në Afganistan ku kuptoi se vajzat trajtohen shumë më ndryshe nga djemtë. Ajo ishte vetëm në klasën e 8-të kur vendosi ti dedikojë jetën luftës për të të drejtat e grave. Në vitin 1981 Nekzai u morr peng bashkë me 18 persona të tjerë ndërsa udhëtonte me autobus drejt Kabulit. 3 gra u vranë në atë ngjarje ndërsa Nekzai dhe të tjerët shpëtuan. 7 vite më vonë, ajo do të shpërngulej në Kanada ku tani jep mësim në një shkollë të Torontos ndërsa ka marrë pjesë në disa inciativa që mbështesin gratë në Afganistan.
Qëllimi i këtij udhëtimi ishte së pari që ajo të mbledhë fonde për një strehëz për gratë dhe fëmijët në Afganistan. Ndërkaq Nekzai ka vendosur ta zgjerojë iniciativën e saj edhe në shtete të tjera. Në 2013-ën Nekzai financoi një project për të ngritur 4 klasa në një shkollë të mesme për vajza në Kabul dhe 2 vite më vonë hapi kopështin e parë të subvencionuar në kryeqytetin afgan.